Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shqipëri

Lajmet më të reja

Ministri Osmani prezantoi MKartë-n, e destinuar për qytetarë tanë të spikatur jashtë vendit

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, sot në konferencë për media prezantoi projektin MKARTË, e destinuar për persona me prejardhje nga Maqedonia e Veriut si njohje simbolike e angazhimit të tyre jo vetanak në drejtim të promovimit të shtetit jashtë vendit. “MKarta paraqet njohje dhe vërtetim për persona të spikatur nga vendi të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët me punën dhe profesionalizmin e tyre kanë dëshmuar sukses të posaçëm, e me këtë edhe promovim të vërtetë të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit”, theksoi Osmani. “Si vend amë duam t’iu shprehim mirënjohje, do thoja në mënyrë simbolike- t’iu kthejmë apo t’iu kompensojmë rolin e tyre si promovues të vendit, duke na prezantuar ne sikur vend prej ku vijnë njerëz të suksesshëm dhe cilësor”, shtoi ai. “Në një periudhë më të gjatë, një numër i madh jo vetëm që kanë lëshuar vendin, por edhe kanë arritur sukses të veçantë profesional dhe shoqëror aty ku gjenden. Janë mjekë të suksesshëm, shkencëtarë, biznesmenë, punonjës kulturor, etj., të cilët duam t’i tërheqim drejt vendit, t’ua përforcojmë lidhjen dhe të krijojmë potencial për përfshirjen e tyre në rrjedhat tona shoqërore”, tha Osmani. Ideja është që personalitetet e këtille të jenë një rrjet i gjerë e cila do të ishte thellë e përfshirë në rrjedhat shoqërore të shtetit. I gjithë procesin lidhur me MKartën do të koordinohet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Me kartën do të fitohen disa beneficione, si hyrje e lirë në ngjarje kulturore, muze e galeri, do të ketë përparësi gjatë aplikimit për projekte në kuadër të programeve për bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme me individë dhe shoqata jashtë Maqedonisë së Veriut dhe të ngjashme. Në bashkëpunim me resorët qeveritare, punohet në zgjerimin e listës së privilegjeve. Është planifikuar që të drejtë për dhënien e Mkartës të ketë edhe Qeveria, gjegjësisht resorët e saj diplomatiko- konsullore jashtë vendit, ndërkaq ndarja do të realizohet me procedurë strikte përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Me panelin ndërkombëtar “Rruga drejt Forumit të Prespës për Dialog” u paralajmërua konferenca e madhe ndërkombëtare në Ohër

Sot,  në klubin e deputetëve në Shkup, u mbajt paneli ndërkombëtar “Rruga drejt Forumit të Prespës për Dialog” si ngjarje hyrëse për konferencën ndërkombëtare  “Forumi i Prespës për Dialog” që do të mbahet më 1 dhe 2 korrik të këtij viti në Ohër dhe Oteshevë. Nikoqir në këtë panel ishte Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cili me këtë rast e shpjegoi qëllimin dhe prezantoi konceptin dhe idenë themelore të Forumit të Prespës për Dialog. “Në thelbin e Forumit të Prespës për Dialog  gjendet esenca e tri Marrëveshjeve me të cilat Maqedonia e Veriut njihet si një shembull unik në rajonin më të gjerë. Këto janë Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë si dhe Marrëveshja për partneritet strategjik me Greqinë, e njohur si Marrëveshja e Prespës. Në këto marrëveshje vërehen parime të forta politike dhe vlera që kanë kuptim universal: para së gjithash, hapat e guximshëm politikë në ndërtimin e kompromiseve afatgjata dhe të qëndrueshme; zbatimi i qenësishëm i inkluzivitetit në tejkalimin e dallimeve ndërmjet grupeve të ndryshme; respekti i ndërsjellë, durimi politik dhe diplomatik, dhe para së gjithash qasja pozitive në ndërtimin e miqësisë ndërmjet fqinjëve në kuptimin më të gjerë të fjalës.” theksoi Osmani. Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre dhe potencuan rëndësinë e nismës për themelimin e Forumit. Me diskutimet e tyre të frytshme, ata dhanë ide dhe propozime të reja që do të prezantohen në Dokumentin politik rajonal të përbashkët në Konferencën Forumi i Prespës për Dialog, me rekomandime për politikat sa i takon ndikimit politik, ekonomik dhe social të marrëveshjeve rajonale dhe bilaterale në Ballkanin Perëndimor. Në këtë ngjarje, krahas nikoqirit – Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmanit, morën pjesë edhe Florian Biber, profesor i historisë dhe politikës së Europës Juglindore në Universitetin e Gracit, Janis Armakollas nga ELIAMEP, Vesella Çerneva, Zëvendësdrejtore e ECFR dhe udhëheqëse e zyrës së Këshillit Europian për marrëdhënie të jashtme në Sofje, Edvard Xhozef, profesor në Universitetin Xhon Hopkins të Shteteve të Bashkuara, Gerald Knaus, Iniciativa Europiane për Stabilitet nga Berlini, Damir Marushiq, Këshilli Atlantik, Ivan Krastev, Qendra për Strategji Liberale nga Sofja, Velleshka Esh, Instituti Apen, Gjermani, Ervan Fuere, Qendra për Politika Europiane. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadave të huaja në vendin tonë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar. Forumi i Prespës për Dialog është projekt shtetëror në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe nën patronazhin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për një konferencë me karakter ndërkombëtar, me listë mbresëlënëse mysafirësh të ftuar, pjesa më e madhe e të cilëve tanimë e kanë konfirmuar praninë e tyre, me ç’rast pritet të vijnë kryeministra, ministra nga rajoni dhe nga vendet anëtare të BE-së, përfaqësues të lartë të BE-ës dhe SHBA-ve por edhe përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare.

Osmani u takua me Zef Mazin, kryenegociatorin për aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani u takua me Ambasadorin Zef Mazi, kryenegociator për aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE, i cili sot është në vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim të mendimeve lidhur me proceset aderuese në BE të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, prognozat për miratimin e kornizave negociuese dhe organizimin e konferencave të para ndërqeveritare me BE-në. Bashkëbiseduesit shkëmbyen përvojat e tyre në lidhje me strukturën negociuese, si dhe me rolin e institucioneve, veçanërisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme në gjithë këtë proces, ndërsa u diskutua edhe mundësia për bashkëpunim në formë trajnimesh për forcimin e kapaciteteve administrative gjatë ballafaqimit me sfidat që dalin nga roli dhe detyrat në procesin negociues.  “Metodologjia e re parashikon udhëheqje më të fortë politike të vetë procesit të negociatave, rol më të madh të vetë shteteve-anëtare në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e procesit negociues, me çka, roli i Rrjetit tonë diplomatik në kryeqytetet e BE-së merr një rëndësi dhe përgjegjësi shtesë për udhëheqje të suksesshme të negociatave. Sigurisht, si pika kyçe të komunikimit me institucionet e BE-së janë misionet në Bruksel të vendeve që negociojnë, të cilët duhet të kenë përforcim serioz diplomatik; ndërsa rol të veçantë marrin edhe të gjitha ambasadat e tjera në vendet-anëtare të BE-së, të cilat duhet të vendosin rrjedhë efikase të informacioneve për përparimin e vendit, dhe më e rëndësishmja, sistem për paralajmërim të hershëm, me qëllim informimin e drejtë të Qeverisë dhe të vetë strukturës negociuese për vlerësimin dhe udhëzimet që vijnë nga kryeqytete evropiane”, theksoi Osmani. Ministri Osmani shfrytëzoi rastin ta njoftojë bashkëbiseduesin për statusin e reformave të arritura, si dhe për gjendjen aktuale në vendet fqinje. Më pas, ministri i punëve të jashtme Osmani, informoi edhe për fokusin e ripërtërirë dhe të përforcuar  lidhur me rezultatet e arritura nga fusha e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit. 

Destinacione turistike

Кањон Матка, Скопје

Крушево

Широк Сокак, Битола